Shfaqet premiera e komedisë ‘Budallai’
Pas një kohe të gjatë adhuruesit e artit skenik në Gjakovë mbushen sallën e madhe të Pallatit të Kulturës për të ndjekur një realizim të ri skenik. Ansambli i Teatrit të Qytetit në Gjakovë, të enjten në mbrëmje shfaqi premierën e parë për këtë vit “Budallai” të autorit Larry Shue dhe me inskenim të regjisores Zana Hoxha Krasniqi.
Në rolet kryesore u paraqitën Bujar Ahmeti, Daniella Markaj, Edmond Hafizademi, Valon Pallaska, Myrvete Kurtishi dhe Yllka Lota, ndërkohë që skenografinë dhe kostumet i ka përgatitur Petrit Bakalli.
Publiku i pranishëm në fund të shfaqjes me duartrokitje përcolli aktorët për lojën e treguar artistike.
Repriza e dramës “Budallai” në realizim të Teatrit të Qytetit në Gjakovë, do të shfaqet të shtunën.