Wednesday, April 3, 2024
Gjakova Presss

Shkugëza vendi i bukur i pushimit dhe relaksimit

(Shkëputur nga numri më i ri i revistes Gjakovapress 140-online)

Në kohën me vapë, plus me pandeminë Covid 19, vera bëhet e bezdisshme. Për gjakovarët Shkugëza mbetet vendi më atraktivi për rekreacion ditor, ecje nën hijen dhe freskun e pishave dhe drunjve tjerë që e karakterizojnë këtë zonë, të shpallur pejsazh natyre. Edhe këtyre ditëve paradite e në mbrëmje shtigjet e Shkugëzës janë plot vizitor. I madh e i vogël, kryesisht me maska, duke respektuar masat mbrojtëse kundër Covid 19,  ecin me orë të tëra , për të ndaluar për një kafe në restaurantet e kësaj zone.

 Kohëve të fundit kësaj bukurie natyrore i janë shtuar sipërfaqe të mbjella me drunj, pastaj    mbi 4 kilometra shtigje të cilat tashmë janë në shërbim të qytetarëve të komunës së Gjakovës. Përveç këtyre shtigjeve, Shkugëzes I janë shtuar edhe dy liqene artificial si vlerë shtesë për parkun . 
Projekti për rregullimin e Shkugëzes, sipas zyrtarëve komunal,   është një projekt i gjallë që do të ketë investime të vazhdueshme, jo vetëm në shtigje, por edhe në ndriçim dhe elemente tjera përcjellëse. 
Shkugëza është një vlerë e madhe për Gjakovës, prandaj edhe është detyrë e të gjithë qytetarëve që ta ruajnë dhe ta mbrojnë nga shkatërrimi.

Çdo ditë e më tepër gjakovarët dhe mysafirët tjerë me dëshirë të madhe e kënaqësi po e vizitojnë Shkugëzen, këtë qendër rekreacioni që të mbush me ajr të pastër, gjelbërim dhe relaks. Derisa dikur ky ambient vizitohej më shumë nga nxënësit me rastin e shetive tradicionale që organizonin shkollat e qytetit, sot është shndërruar në një pikë takimi i gjithë atyre që  e adhurojnë natyrën, gjelbërimin dhe ajrin e pastër. Pastaj, është bërë pjesë e pandashme e jetës së gjithë atyre që çdo mëngjes a mbrëmje i bijnë vërdallë, anë e përtej shtigjeve të mbuluara me pisha dhe drunj tjerë duke ndjerë shëndet më të mirë.

Adhuruesit e natyrës dhe shëtisë, më tepër kanë filluar ta frekuentojnë Shkugëzen, këtë mjedis jo larg qytetit,(dy a tri kilometra nga qytetit)  që disponon me një ambient të pyllëzuar me pisha dhe hapësira të gjelbëruara. Nëpër shtigjet malore të Shkugëzes, që nga orët e hershme të mëngjesit një numër i madh i bashkëqytetarëve po e shfrytëzojnë  ajrin e pastër dhe natyrën e bukur. Nuk ndalojnë kolonat e gjata të vizitorëve, këmbë, me çikleta apo vetura , kryesisht në orët e hershme të mëngjesit dhe në orët e pasdites.

Qyshkur ka filluar të “popullarizohet” Shkugëza në bisedat e çdoditshme gjakovare më shumë flitet për kujdesin më të madh ndaj shëndetit, epen raste kur shumëkush “ia ka pa hairin” ecjes shtigjeve të Shkugëzes, duke e mbajtur në nivel shëndetin.

Fundjavat plot vizitor

Fundjavat mbushin këtë vend të bukur. Një pjesë e  bashkëqytetarëve tanë, kohën më të madhe e kalojnë në ambientet e rralla të këtij vendpiknuku, ndërsa edhe  Çabrati dhe  brigjet e Drinit, tash në nismat të stinës së ngrohtë janë bërë pjesë e pushimit dhe rekreacionit.

Pushimi dhe rekreacioni ditor,  nga viti në vit po bëhet atraktiv edhe për qytetin  tonë, gjë që nuk ishte praktikë e periudhës së shkuar. Ky interesim morri rrugën pas ndërtimit të kapaciteteve hoteliere dhe  me pastrimin  e rregullimin e ambienteve hoteliere private në këto vendpikniqe.

Kohëve të fundit, këto ambiente, pos të moshuarve,  janë bërë mjaft atraktive edhe për të rinjtë, të cilët në grupe e shoqëri kalojnë orë të këndshme argëtimi.

Një falënderim atyre që pyllëzuan Shkugëzen

Këtë bukuri të rrallë sot akoma më tepër e përjetojnë ata që dikur si nxënës shkollash vet morën pjesë në pyllëzimin e këtyre sipërfaqeve. Një fotografi e madhe ku shihet një grup i shkollarëve gjakovarë që morën pjesë në mbëltimin e pishave, që sot kanë shtuar shtatë dhe gati prekin qiellin,  të bënë të meditosh për dy gjëra:

E para ti falënderosh gjithë ato breza vullnetarësh për punën që bënë për ti shtuar oksigjen qytetit e për ti lënë brezave një ambient kaq të bukur,  dhe e dyta, të bënë të meditosh se me sa përkushtim duhet të përkujdesemi për të, për ruajtjen e ambientit të pastër e të gjelbëruar, apo edhe për të mbëltuar pisha të reja dhe drunjtë të ri dekorativ.

Një këshillë për ta ruajtur

Nëse iu ka rënë të ecni shtigjeve të Shkugëzes, gjithsesi se keni shprehë shqetësimin tuaj qytetarë për hedhjen e mbeturinave, kryesisht shisheve të plastikës apo qeseve tjera e letrave që shëmtojnë këto ambiente. Dhe me siguri se habiteni se si është e mundur që, fatkeqësisht nuk po i harrojmë veset e këqija që bërllokun ta hedhim ku është më afër!!! Për habi, me sa kënaqësi shfrytëzojmë këto ambiente, qoftë me rrethin familjar, apo me shoqëri dhe sheti nxënësish, por me sa lehtësi e lëm prapa bërllokun!!! Nuk është punë e vështirë që me një qese ti mbledhim gjitha mbeturinat dhe ti hedhim në kontejner. Kjo punë nuk “humb” më shumë se 5 minuta! Por, nuk po e bëjmë!?

Shkugëza me  hapësira të gjelbëruara, me pisha të larta dhe  me shtigje për këmbësorët paraqet një atraksion të vërtetë edhe për mysafirët e shumtë nga vendet tjera, pothuajse gjatë gjithë vitit ndërsa për brigjet e Drinit të bardhë, mundë të flitet vetëm për rekreacionin në ditët e ngrohta të vitit.

Interesimi gjithnjë në rritje i bashkëqytetarëve për tu marrë me rekreacion si dhe nisma e shfrytëzimit të vendpikniqeve, më së miri tregon domosdonë e përkujdesjes më të madhe jo vetëm nga ana e sektorit privat por edhe atij publik që  Gjakova të ketë sa më shumë vende të këtilla rekreacioni. Kjo për faktin se shumica e popullsisë së kësaj ane, me buxhetin e vogël financiar nuk mundë të kalojnë pushimet në vende të shtrenjta malore apo bregdetare.(z.v) 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *