Friday, April 5, 2024
Lajme

U shënua 50 vjetori i Shkollës së Lartë Pedagogjike  dhe 5 vjetori i themelimit të universitetit “Fehmi Agani”

Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani” të mërkurën kremtoi 50-vjetorin e themelimit të Shkollës së Lartë Pedagogjike “Bajram Curri” dhe 5-vjetorit të themelimit të Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”. E në sallën e mbushur me studentë, profesor e mysafir të shumtë në Pallatin e Kulturës, fillimisht foli Shaban Buza , rektori i Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”. Ai kujtoj rrugetimin e arsimit të lartë në Gjakovë,

“Dëshira dhe këmbëngulësia për arsimim të lartë u kurorëzua me themelimin e Shkollës së Lartë Pedagogjike në Gjakovë si institucion i vetëm i arsimit të lartë vetëm me mësim në gjuhën shqipe.  Në vitin shkollor 1967/68, shkolla me të tri degët mësimore të saj: Gjuhë dhe Letërsi shqipe, Matematikë dhe Histori-Gjeografi kishte të regjistruar gjithsej 794 studentë, prej tyre 247 studentë të rregullt dhe 547 studentë me korrespodencë nga trevat e ish Jugosllavisë  ku jetonin shqiptarët, përfshi ata nga   Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës. Më 1968 hapet Dega Biologji-Kimi, ” tha Buza duke kujtuar se në fillim të veprimtarisë në këtë shkollë kanë qenë të angazhuar 7 profesorë dhe 13 bashkëpunëtorë,  emra të njohur, si Besim Bokshi, Din Mehmeti, Rexhep Hoxha, Idriz Ajeti, Ali Aliu, Hilmi Agani, Fehmi Agani, Ali Hadri, Masar Rizvanolli, Nesim Vala, Nazmi Hyseni, Durmish Rizvanolli, Mazade Bakalli, Faik Rizvanolli, Hilmi Hasimja, Bardhyl Çaushi, Qamil Gexha dhe të tjerë.

Në këtë solemnitet ka marrë pjesë edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, Shyqiri Bytyqi i cili  tha se, Gjakova është vend i traditës së shkollimit, vend nga i cili kanë dalë intelektualë të shquar si, Ali Hadri e Fehmi Agani, ndërkaq uroi që ky institucion të vazhdojë me nivele të tilla të përgatitjes së kuadrove.

 Ministri Bytyqi me këtë rast tha se, Shkolla e Lartë Pedagogjike, ishte institucion për ngritjen e të cilit u sakrifikuan shumë pedagogë dhe intelektualë të kohës, vetëm për të hapur shtigjet e diturisë.

“Rinia kishte nevojë për arsimim, vendi kishte nevojë për patriotizëm. Ishte një detyrë e shenjtë që të realizojmë synimet tona për shtetndërtim, por arsimimi vazhdon të jetë gjithmonë i shenjtë. Sot në këtë kohë moderne, kur kemi realizuar synimin tonë për shtet, përsëri arsimi  dhe edukimi i të rinjve mbetet i shenjtë. Duhet të angazhohemi që të krijojmë breza intelektualësh të cilët do të forcojnë rriten dhe zhvillimin e shtetit tonë”, theksoi ministri Bytyqi.

Kremtimi i   50 vjetorit të   themelimit të Shkollës së Lartë Pedagogjike “Bajram Curri” në Gjakovë dhe 5 vjetorit  të Universitetit të  Gjakovës “Fehmi Agani”, është përmbyllur me ndarjen e diplomave për 220 studentët e diplomuar në vitin akademik 2016-2017. Gjithashtu u ndanë edhe mirënjohje  për 60 studentë përfitues të bursave universitare.

Ceremonia e sotme u bë më madhështore me interpretimet e disa pikave artistike nga Kori i studentëve të Fakultetit të Edukimit të Universitetit të Gjakovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *