Friday, March 29, 2024
LajmeSporti

Vëllaznimi nga e shtuna 10 ditë në Durrës

vellaznimi

Të enjten, futbollistët e Vëllaznimit kanë kryer ushtrimet e fundit të fazës së parë kondicionale prapa Pallatit të Sporteve, sepse nga e shtuna ata do të vazhdojnë fazën e dytë në Durrës. Kryetrajneri i “Kuq e zinjve” Ibrahim Domi është shprehur i kënaqur me angazhimin e futbollistëve gjatë kësaj faze 15 ditëshe, që sipas tij ka qenë mjaftë intensive dhe është realizuar në kushte të vështira atmosferike, në shi e borë.

“Të gjitha këto sfida futbollistët i kanë kaluar me sukses. Tash na pret një punë më atraktive e përgatitjes teknike. Klima bregdetare dhe terrenet sportive në Durrës do të na mundësojnë zhvillimin e suksesshëm të fazës së dytë, bashkë me zhvillimin e ndeshjeve stërvitore me skuadrat që gjenden atje”, tha Domi.

Duket se lista e përforcimeve për momentin është përmbyllur, ndërsa ende është e hapur cështja e portierit Feim Statovci i cili si ditë të fundit ka përcaktuar të premten. Edhepse nga anëtari kryesisë së klubit, Anton Shala ishte paralajmëruar ardhja e portierit Alban Xharavina, ai deri me sot nuk është parë në stërvitje.

Futbollistët presin që të premten të marrin nga një pagë mujore ndërsa të shtunën në mëngjes nisen drejtë Durrësit. Bëhet e ditur se ata do të vendosen në hotelin bashkëkohor “Pameba” i cili ofron kushte shumë të mira qëndrimi.