Gjakovarët solidarizohen me viktimat e termetit në Shqipëri, ofrojnë ndihma
Si gjithë shqiptarët edhe qytetarët e komunës së Gjakovës sot po kalojnë një ditë të rëndë me pasojat që solli termeti I sotëm me epiqendër në Durrës. Si e gjithë Kosova, edhe komuna e Gjakovës ka filluar aksionin e grumbullimit të ndihmave për ata që pësuan nga termeti. Shumë qytetarë kanë dhënë informacione për gadishmërinë që kanë për të pranuar familjet nga Shqipëria. Rrjetet sociale janë të mbushura me oferta të tilla.
Ekipet e Këshillit të Veprimit Rinor Lokal në bashkëpunim edhe me Komunën e Gjakovës dhe qytetarë të shumtë janë mobilizuar për të mbledhur ndihma në veshmbathje, ushqime e mjete monetare. Gjithashtu shumë bashkëqytetarë kanë hapur dyert e shtëpive të tyre në ndihmë të familjeve nga Shqipëria të cilët kanë nevojë për strehim.
Mbledhja e ndihmave do të vazhdoj edhe nesër nga ora 09:00 – 17:00, transporti i të cilave do të bëhet nga vullnetarët e KVRL. Lutemi për ty Shqipëri
Edhe Kuqezinjët e Jakovës dhe 1927 në këto momente duke mbledhur fonde, veshëmbathje dhe ushqime në ndihmë të të dëmtuarve nga tërmeti që goditi rëndë Shqipërinë.
Ata sonte do të jenë tek Parku „Mustafa Bakija“ deri në orën 00:00 dhe do të vazhdojnë nesër nga ora 10:00-16:00