Saturday, April 27, 2024
AktualeLajme

Breshëri në Rekë të Keqe dëmton grurin

bresheriFermerët në disa fshatra të Rekës së Keqe të komunës së Gjakovës, kanë pësuar mbrëmjen e së premtes, pasi arat e tyre janë goditur nga të reshura të fuqishme të breshrit. Me këtë rast janë dëmtuar disa qindra hektarë në disa fshatra të këtij regjioni, por, më së shumti mësohet të kenë pësuar fermerët në fshatrat Berjahë, Stubëllë, Smolicë, Molliq e deri në Junik. Fermerët e kësaj pjese të Gjakovës kanë thënë se breshëri ka dëmtuar pothuajse të gjitha të mbjellat e tyre, ndërsa më së shumti e ka pësuar gruri, i cili pothuajse ishte në ditët e fundit para korrjes.

Dëmi i shkaktuar nga breshëri është konfirmuar edhe në drejtorinë komunale për bujqësi në komunën e Gjakovës. Sipas tyre, sot do të formohet një komision profesional që do ta bëj vlerësimin e dëmit dhe më pastaj raporti do të dërgohet në ministrinë e bujqësisë, bashkë edhe me kërkesën që të dëmtuarve tu kompensohet dëmi.

Por, duke u nisur nga tradita e të paktën 3-4 vjetëve të fundit, kur për çdo vit breshëri ka sjellë dëme në bujqësi dhe kur askush nga institucionet nuk është përgjigjur financiarisht, fermerët e komunës së Gjakovës, janë të bindur se edhe kësaj herë i gjithë investimi dhe mundi i tyre do të shkojë huq.