Filloi fushata Zgjedhjet 2013
Kandidati i AAK-së që synon mandatin e tretë, Pal Lekaj përmes rrjetit social Facebook ka uruar për fushaten dhe është shprehur i bindur në fitoren e tij. Ai gjithashtu ka premtuar fushatë të qetë dhe ka kërkuar një gjë të tillë dhe nga kundërkandidatët.
“Unë lus të gjithë garuesit, ata që janë në listë për kandidatë për kryetar, ata që janë prijës të subjekteve, ata që janë në listë për asambleistë, të kenë në komoditetin e një garuesi fer, me qetësi dhe pa asjnjë nxitje, pa futur urrejtje, por si një vëllazëri shqiptare, të ndijmë nevojën që votuesi të na përzgjedhë. Nuk na duhet asnjë ekces, jo vetëm për faktin se po monitorohemi, por, për arsyen e shëndoshë, se jemi në vendin tonë, jemi me njerëzit tanë, jemi për të mirën e tyre dhe për ne e projektojmë ardhmërinë”, ka shkruar ndër të tjera Lekaj.
Ndërsa, kandidatja e AKR-së, Kusari-Lila shkurtimisht përmes profilit të saj në Facebook ka thënë se ndryshimi për Gjakoven po vjen. “Ja pra filloi, edhe një sfidë, edhe një mundësi për ndryshim. Kësaj radhe Vetem Mimoza Per Gjakoven. Ndryshimi po vjen”, ka shkruar ajo.
Para shumë simpatizantëve dhe antarëve të Partisë Demokratike të Kosovës, dhe në prani të shefit të grupit parlamentar të kësaj partie Adem Grabovci kandidati për kryetarë të komunës nga kjo parti Hajdar Beqa edhe zyrtarisht bëri hapjen e fushatës. Duke i falenderuar të gjithë të pranishmit Beqa përcolli mesazhet për një garë korrekte zgjedhore si dhe u siguroi të gjithë antarësisë se fitorja e Partisë Demokratike do të jetë e pashmangshme dhe ndryshimi i shumë pritur do të vijë me Partinë Demokratike të Kosovës.
Luan Gola bashkë me kandidatët për Asamble nga kjo parti janë mbledhur në degën tyre dhe në fjalen e rastit, duke kritikuar qeverisjen e deritashme lokale, ka thënë se ka ardhur koha për ndryshime dhe zgjidhja mbetet LDK-ja. “Gjakova si djep i figurave dhe liderëve kombëtar që ditën të nisin, të bëjnë dhe të zhvillojnë lëvizjet demokratike dhe kombëtare ne vend, e meriton një parti serioze dhe te fortë sic është LDK-ja dhe bashkë me të të kthejë Gjakovën në një normalitet ku institucionet lokale gjegjësisht komuna do të konsolidohet dhe ku do t’i rikthehet dinjiteti i saj”, është shprehur Gola.
Edhe kanidatja e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci përmes Facebook-ut ka uruar për fushaten por nuk ka harruar të thumbojë kundërkandidatët duke “luajtur” përmes sloganeve të tyre. “Ditë më të mira do të vinë! Gjakova ka nevojë për ndryshime. Nuk mund të #vazhdoj më kështu. Nuk mund të #rikthesh atë që u ke dhënë të tjerëve. #Vetëm, nuk është e mundshme. Të ndryshojmë së bashku Gjakovën! VETËVENDOS! VOTO 61”, ka shkruar Nagavci./radiogjakova/