Thursday, March 28, 2024
AktualeLajme

I jepet lamtumira e fundit Vahide Hoxhes

Familjarë, miq, kolegë dhe të afërm u bënë bashkë në nderim të jetës dhe veprës së Vahide Hoxhës, kryetare e Shoqatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Kosovës, e cila u nda dje nga jeta.Në mbledhjen komemorative, bashkëpunëtori shumëvjeçar i Vahide Hoxhës, Pajazit Nushi tha se biografia e saj pasqyron historinë dhe emancipimin e femrës shqiptare në Kosovë. Ndërkaq, një telegram ngushëllimi, i cili kishte mbërritur nga Shoqata e Bashkuar e Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të popullit shqiptar nga Tirana, e të cilin e lexoi mbesa e Vahide Hoxhës, Flaka Surroi, ndër të tjera shkruhej: “Vdekja e saj është humbje e madhe për familjen tuaj për shoqatën e veteranëve të luftës dhe mbarë shoqërinë Kosovare, Vahide Hoxha, ishte dhe do të mbetet simbol i trimërisë së popullit kosovar”.
Ndërkaq, në orët e pasditës, Vahide Hoxha është varrosur me nderime të larta në varrezat e qytetit të Gjakovës, pranë varrit të bashkëshortit të saj, Fadil Hoxha.
Nipi i saj, Veton Surroi, zgjodhi një tregim për ta përshkruar tezen e tij.
Edhe kryetari i Gjakovës, Pal Lekaj, ka ngushëlluar familjarët dhe të afërmit e Vahide Hoxhës.
Vahide Hoxha u lind më 26 qershor të vitit 1926 në Prizren në një familje atdhetare dhe arsimdashëse, ndërkaq u nda nga jeta të premten më  31 maj. (koha net)