Saturday, April 27, 2024
AktualeLajme

Inva Mula, nderi i qytetit të Gjakovës

Sopranoja me renome botërore Inva Mula e ka anuluar një aktivitet në Kinë, vetëm e vetëm që  në 14 vjetorin e çlirimit të Gjakovës, të jetë mysafire nderi në këtë qytet. Duke u shprehur tejet e emocionuar që po qëndron në vendlindjen e babait të saj, kompozitorit Avni Mula, ajo ka thënë se e ka mirëpritur ftesën me kënaqësinë më të madhe.

“Në momentin kur më erdhi ftesa pata një dilemë, për shkak të një aktiviteti qysh herët të prenotuar në Kinë, por njëkohësisht pata një ndjesi dhe një detyrim moral që të vi, pasi Gjakova është një qytet i veçantë për mua dhe njëkohësisht kjo është një ditë e veçantë për Gjakovën. Duke i menduar këto, thash me vete: Qfarë më duhet Kina. Unë duhet të shkoj në Gjakovë!”, ka thënë Mula, duke rikujtuar lidhjet emocionale që ajo i ka me Gjakovën, vendlindjen e babait të saj. “Kujtimet e fëmijërisë dhe rinisë mbeten shumë të fuqishme tek një njeri. Babi dhe hallat e mija tërë kohën kanë folur dhe e kanë përmendur Gjakovën, duke lënë tek unë gjurmë të pashlyeshme për këtë qytet”, ka treguar ajo.

E kjo dashuri e saj për Gjakovën, i është kthyer asaj me të njejtën monedhë, pasi kryetari i komunës dhe Asambleja Komunale e kanë nderuar artisten me titullin “Nderi i Gjakovës”, duke e futur kështu në mesin e personaliteteve më të çmuara shqiptare që janë nderuar me këtë titull.

“Është një moment tepër i veçantë që ky nder më bëhet në një ditë kaq të bukur dhe kaq solemne. Jam pjesë e këtij qyteti sepse jam rritur me kujtimet dhe me mallin e vendlindjes së babait tim. Por, sot e ndjej veten vërtetë që ju më keni bërë pjesë të qytetit tuaj dhe jam shumë e lumtur dhe e nderuar që ju më keni bërë pjesë të Gjakovës”, ka thënë mes emocionesh Mula, teksa nga kryetari Pal Lekaj po e pranonte dekoratën.

E teksa e percjellur me shumë emocione dhe me lot në sytë e njerzve, Inva ka kënduar një pjesë nga kënga e vjetër qytetare “Lulzoi fusha, lulzoi mali”, ajo ka premtuar se herën e ardhshme që do të vijë në Gjakovë, e që do të jetë shumë e afërt, ajo do të vijë me një koncert dhuratë për qytetin e Gjakovës. “Unë sot kam ardhur si mysafire, por them se është e domosdoshme që herën tjetër të vi me një koncert dhe këtë po ju premtoj publikisht”, ka thënë në fund ajo.

Sopranoja Inva Mula gjatë tërë kohës ka qenë e përcjellur nga babai i saj, kompozitori Avni Mula, i cili vite më parë ishte nderuar me të njëjtin çmim, por falë një lidhje të veçantë të tij me Gjakovës, Avni Mula gjatë tërë kohës ka qenë i mbuluar nga emocionet dhe lotët. “Unë kam nostalgji të vazhdueshme për këtë qytet dhe sa herë vij këtu nuk mund t’i përmbajë emocionet”, ka folur shkurt artisti i madh Avni Mula.