Korren 25 % e grunajave të Gjakovës

korrjeRreth 25 % e grunajave të Gjakovës tashmë janë korrë dhe gruri i korrur kryesisht po dorëzohet tek mullinjtë e komunës. Për 100 kg. grurë të dorëzuar mullinjtë kompensojnë me 52 kg miell dhe 38 kg.krune.

Komisioni për monitorimin e fushatës së korrje shirjeve në Kuvendin Komunal të Gjakovës, vazhdimisht është në teren për të përcjell për së afërmi  rrjedhën e fushatës për grumbullimin e grurit. Sipas zyrtarit të Bujqësisë Agron Zorra, fushata ka hyrë vrullin e saj më të madh dhe se në këtë fushatë janë përfshirë 52 autokombajna nga Gjakova dhe 4 nga komunat fqinje.

Këtë vit, prodhimtarinë e grurit e kanë shoqëruar rrethana të vështirësuara klimatike që kanë ndikuar  edhe në rendiment. Disa sipërfaqe janë dëmtuar nga breshëri e disa të tjera nga stuhija dh rrëshqitja e dheut dhe kështu për korrje janë gjithsejtë 4 mijë hektarë.

“Sipërfaqet e korrura kanë dhënë rendiment deri në 3.700 kilogram për një hektarë”, ka thënë Zorra, duke theksuar se fushata e korrje shirjeve të drithërave të bardha pritet të përfundoj brenda dy javëve.