KRU Radoniqi i pakompromis ndaj keqpërdoruesve të ujit
Temperaturat e larta të ajrit kanë shtuar në masë të madhe konsumimin e ujit të pijes nga ujësjellësi i qytetit. Në Kompaninë Rajonale të ujësjellësit Radoniqi po punojnë me kapacitete të plota 500 litra në sekondë për të mundësuar që edhe në këto rrethana, të furnizoi konsumatorët 24 orë pa ndërprerë me ujë të pijes. Megjithëkëtë pos konsumimit më të madh, ka edhe keqpërdorime me ujitjen e kopshtijeve dhe rrugëve, për çka po pësojnë më së shumti banorët e shumëkatësheve dhe të zonave më të larta të qytetit të Gjakovës , Rahovecit dhe të disa zonave të fshatrave të Prizrenit. Ekipet e kontrollit të kësaj kompanie në afat të shkurtër kanë zënë në flagrancë 30 keqpërdorues, në qytet, në rrugët 14 Qershori, Uashingtoni dhe Marin Barleti si dhe në fshatrat Rogovë, Bordosan, Ujzë dhe Damjan. Kështu tha Muhamet Lama, zyrtarë në KRU Radoniqi në takimin e sotëm me gazetarë duke prezantuar situatën aktuale të furnizimit me ujë të pijes.
“Në kompani është ngritur në shkallë të lartë gatishmëria e përcjelljes së gjendjes nga ana e ekipeve të kontrollit në gjithë territorin sepse pos konsumimit të shtuar, po ka edhe keqpërdorime duke bërë edhe kyçje ilegale në rrjetë. Ujë ka në sasi të mjaftueshme por kërkohet të shfrytëzohet në mënyrë racionale, ka apeluar Lama duke kujtuar edhe synimet për dyfishimin e kapaciteteve prodhuese të fazës së dytë.