Saturday, April 27, 2024
AktualeLajme

Në listat e votuesve edhe të vdekurit!

Paradoksi i zgjedhjeve të kaluara, kur në Gjakovë kishin ekzistuar më shumë votues se qytetarë të regjistruar duket se do të përsëritet edhe në këto zgjedhje të 3 nentori,  por tashmë me shifra edhe më alarmante, shkruan “Zëri” duke cituar disa raste të piblikimit të emrave të personave të vdekur në listat e votuesve .

Ndonëse ende nuk dihet numri i saktë i votuesve në komunën e Gjakovës, jozyrtarisht mësohet se ky numër pritet të jetë rreth 107 mijë, apo rreth 10 mijë më shumë se në zgjedhjet e vitit 2010. Kjo shifër del të jetë tejet qesharake, kur kihet parasysh se në regjistrimin e fundit Gjakova ka dalë me vetëm 94 mijë banorë. Por, në Komisionin Komunal Zgjedhor, thonë se kjo shifër nuk është përfundimtare, ndërsa japin edhe arsyetime për këtë disbalancë të shifrave.

“Shifra definitive e votuesve në komunën e Gjakovës mund të dihet pas 24 shtatorit kur të përfundojë në tërësi faza për Shërbimin e Votuesve. Nga ana tjetër, ndoshta mund të ketë më shumë votues sesa qytetar, ashtu siç ka pasur edhe në zgjedhjet e fundit, por nuk duhet harruar se Gjakova ka shumë mërgimtarë, të cilët janë të regjistruar si votues, por nuk janë të regjistruar si banorë të Gjakovës gjatë regjistrimit të fundit”, ka thënë Xhevdet Bytyqi, shef i KKZ-së në Gjakovë.