Friday, March 29, 2024
Lajme

Ngricat e pranverës rrezikojnë pemishtet

Ulja e temperaturave të ajrit gjatë natës edhe deri në minus 2 gradë celciuz që ka përfshirë territorin e komunës së Gjakovës, sipas të gjitha gjasave  ka dëmtuar pemët e hershme e më së shumti, qershitë, kumbullat dhe disa të tjera që janë në fushën e lulimit. Kjo ulje e temperaturave që është parë me vesën e ngrirë  mëngjesin e së premtes, sipas inxhinierit të pemëtarisë, Pjetër Frrokaj, pritet tu sjellë telashe të reja pemëtarëve kur është fjala tek rendimenti i pritur, pasi që ato ishin në periudhën më kritike. Frrokaj, ditë më parë, përmes Radio Gjakovës kishte këshilluar pemëtarët që të marrin masat adekuate mbrojtëse. Ndryshe , ngricat pranverore janë dukuritë klimatike negative më të shpeshta që ndikojnë mbi prodhimtarinë e pemëve frutore dhe kufizojnë përhapjen e specieve dhe kultivarëve në zona të caktuara. Ngricat pranverore zakonisht ndodhin në netët e qeta gjatë orëve të fundit të natës dhe të para të mëngjesit, me qiej të kthjellët dhe pak erë.

Pemëtaria, është një nga veprimtaritë bujqësore më fitimprurëse dhe më e rëndësishme. Kultivimi i pemëve konsiderohet pasuri e madhe jo vetëm për fermerin, por për gjithë zonën dhe vendin ku ato kultivohen. Gjakova ka një traditë në kultivimin e kulturave pemëtare si: molla, dardha, kumbulla, qershia, vishnja, lajthia, dredhëza, mjedra, manaferra etj. Edhe pse pemëtaria si veprimtari bujqësore është mjaft fitim prurëse, në komunën e Gjakovës nuk ka një shtrirje shumë të madhe por ka një trend të rritjes çdo vit duke ditur rëndësinë e kësaj veprimtarie në zhvillimin e bujqësisë dhe gjenerimin e të ardhurave për ekonomi familjare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *