Një ditë para ndërrimit të moteve, ndjehet atmosferë festive
Një ditë para ndërrimit të moteve, në Gjakovë ndjehet atmosfera festive. Atmosferës së Vitit të ri i kanë dhënë gjallëri mërgimtarët që kanë ardhë në vendlindje për festat e fundvitit. Frekuenca e automjeteve është jashtëzakonisht e madhe dhe në disa pjesë të qytetit krijohen edhe kolona të gjata. Policia e trafikut, po kërkon nga shoferët dhe pjesëmarrësit tjerë në trafik për respektim të rregullave të trafikut.
Pikat tregtare, ambientet hoteliere, rrugët dhe sheshet janë më të frekuentuara. Institucione e biznese të ndryshme po bëjnë rekapitullimin e të arriturave dhe sfidave me të cilat janë ballafaquar gjatë këtij viti . Qytetarët po përgatiten për tryezën e natës më të gjatë të vitit ndërsa çmimet e rritura kohëve të fundit kanë rënduar buxhetin familjar. Organizatat humanitare që veprojnë në Gjakovë, po ndajnë dhuratat e Vitit të ri për familjet e varfra, një numër i të cilave fatkeqësisht po ballafaqohen me ekzistencën.