Partia e Drejtësisë hap fushaten
Partia e Drejtësisë, dega në Gjakovë edhe këtë të diel ka vazhduar aktivitetet e saja parazgjedhore, duke vizituar shoqata të ndryshme dhe lagje të qytetit. Kryetari i Partisë së Drejtësisë, dhe njëherësh ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, së bashku me kryetatrin e Degës së PD-së në Gjakovë, Bahri Bokshin, me bashkëpunëtorë, kanë vizituar shoqatat e personave me aftësi të Kufizuara, me ç’rast u premtuan atyre se nëse sigurojnë ulëse në Kuvendin Komunal të Gjakovës, do të angazhohen për mirëqenien e tyre sociale, por edhe shëndetësore.
Delegacioni i PD-së, në fillim ka dëgjuar hallet dhe brengat e personave me nevoja të veçanta dhe më pas kryetari i PD-së, në cilësinë e ministrit të Shëndetësisë, i ka njoftuar ata me punën dhe angazhimin që ai e ka bërë gjatë tre vjetëve të fundit, për përmirësimin e gjendjes sociale dhe shëndetësore të tyre.
Agani, ka thënë se edhe pse kjo kategori e shoqërisë kosovare është nën kompetencat e ministrisë së Punës dhe MirëqeniesSociale, nuk do të ndalen së punuari që kjo shtresë e shoqërisë t’i gëzojë të drejtat që u takojnë, duke premtuar së paku trajtim mjekësor falas.