Friday, April 5, 2024
Lajme

Pemëtaria kosovare, mbet pa doajenin e agronomisë prof.dr. Agim Zajmi

Pemëtaria kosovare ka ngelur pa një ekspert të njohur. Më 17 Maj ka ndërruar jetë ish-profesori i Fakultetit të Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, prof. dr. Agim Zajmi i cili të enjten e 18 Majit, me nderime u varros në varrezat e qytetit në Gjakovë. Meqë krejt jetën ia kushtoi pemëtarisë, në varrin e tij u hodhën pemë të kultivuara në plantacionet kosovare.

Eksperti i bujqësisë dhe një nga themeluesit e Fakultetit të Bujqësisë,   Agim Zajmi i lindur në Gjakovë ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm jo vetëm për shqiptarët e Kosovës, por për gjithë kombin shqiptar si doajen i agronomisë shqiptare. Profesori i Bujqësisë, Imer Rusinovci, tha se Agim Zajmi ishte profesor me shumë vlera, andaj do të kujtohet si shëmbëlltyrë për brezat e ardhshëm.

“Largëpamësia dhe sakrifica e profesor Agim Zajmit, na ka sjellë rrugë të ndritura. Pusho në paqe profesor, dijetar, erudit dhe doajen i agronomisë shqiptare. Lavdi punës dhe veprës së profesor Agim Zajmit. Përjetësisht do te mbetesh i paharruar!”, ka thënë  Rusinovci në mbledhjen komemorative që komuna e Gjakovës e organizoi sot. .

Figurën e prof. Agim Zajmi e lartësoi edhe dekani i Fakultetit të Bujqësisë të Universitetit të Kosovës, Bedri Dragusha.