Premiera, gërshetim i lojës së brezave të aktorëve-sukses i plotë
Ansambli i Teatrit të Qytetit në Gjakovë, të shtunën në mbrëmje shfaqi premierën e tretë për këtë vit, “Gënjeshtrat” të autorit Antony Nelsen, që u mirëprit nga adhuruesit e artit skenik që kishin mbushur sallën e madhe të Pallatit të Kulturës Asim Vokshi. Ishte një komedi e cila në fokus ka të bëmat e dy policëve, një ditë para Krishtlindjes. Regjinë e këtij realizimi skenik e ka bërë, Kastriot Saqipi ndërsa loja e shkëlqyer e aktorëve bëri që shfaqja të komunikoi mirë me shikuesin.
Në rolet kryesore u paraqitën Edmond Hafizademi, Altina Kusari, Myrvete Kurtishi, Elida Shasivari, Ahmet Bakija, Hysen Binaku, Elira Lluka dhe Hana Kusari. Gërshetimi i lojës së aktorëve me shumë përvojë dhe atyre të brezit më të ri duket se ka qenë formula e suksesit të kësaj premiere. Dëshmi për këtë ishin duartrokitjet e gjata në funs të shfaqjes. Skenografinë funksionale e ka përgatitur mjeshtri i skenës Petrit Bakalli.