Monday, September 2, 2024
AktualeLajme

Rritet vapa, rriten keqpërdoruesit e ujit

Në këto ditë kur vapa ka filluar të bëhet më e madhe, zyrtarë të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Radoniqi” kanë njoftuar se ka filluar të rritet edhe dukuria e keqpërdorimit të ujit të pijes, dukuri që këtë kompani po e përciell tash e sa vjet.

ujitja keqperdorimiVetëm në dy ditët e fundit janë kapur në flagrancë dy bujq nga komuna e Rahovecit, të cilët me ujë të pijes kanë vendosur të ujisin arat e tyre. Këtë e ka konfirmuar edhe Hysen Kadriqeli, udhëheqës i degës së KRU “Radoniqit” në komunën e Rahovecit. “Gjatë kontrolleve të rregullta të punëtorëve tanë janë hasur dy raste kur konsumatorët në vazhdimsi e kanë përdorur ujin e pijes për ujitje të arave. Me këtë rast e kemi shtuar vigjilencen dhe kontrollin, sepse dyshohet se raste të tilla ka plot”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër edhe zyrtari për informim i “Radoniqit” në Gjakovë, Bekim Gola, duke i konfirmuar rastet në Rahovec, ka pranuar se të tilla raste të keqpërdorimit ka plot, qoftë në Gjakovë, qoftë edhe në Rahovec e Prizren, ku kompania ka konsumatorë. Sipas Golës kjo dukuri po shkakton telashe si për kompaninë ashtu edhe për konsumatorët e ndërgjegjshëm, të cilët po detyrohet të përballen me reduktime të ujit.

“Këto ditë e kemi rritur intensitetin e kontrolleve dhe në të gjitha rastet që po hasim në kyçje ilegale dhe keqpërdorim të ujit po e bëjmë çkyçjen, por në të njejten kohë edhe po inicojmë procedurë penale përmes gjyaktës”, ka thënë Gola, i cili u ka rikujtuar të gjithë atyre që tentojnë të kyçen ilegalisht dhe ta keqpërdorin ujin e pijes, së në bazë të nenit 321 të Kodit Penal të Kosovës, dënimi për këtë vepër, që konsiderohet vepër penale,  është prej gjobës financiare deri në 3 vjet burgim.

Prandaj, Gola ka apeluar tek konsumatorët që në asnjë menyrë dhe për asnjë arsye të mos tentojnë të kyçen ilegalisht në sistemin e ujit të pijes dhe ta përdorin atë për ujitje, sepse me të tilla veprime, përpos që mund t’i shkaktojnë rreziqe dhe gjobitje vetvetes, po e detyrojnë edhe kompaninë që të aplikojë orarin e reduktimit.

Nga ana tjetër, njëri nga rahovecjanët që është kapur në flagrancë duke e ujitur arën e tij me ujë të pijes, nuk ka pranuar të identifikohet për gazeten, por ka thënë se këtë veprim e ka ndërmarrë për shkak se nuk ka pasur zgjidhje tjetër.

“Në mungesë të sistemit të ujitjes, po jemi të detyruar të përdorim alternative tjera, qoftë kjo edhe përdorimi i ujit të pijes. Në të kundërten, ka rrezik që të gjitha të mbjellat tona të shkatërrohen në këtë vapë”, ka thënë ai.