Wednesday, April 3, 2024
AktualeLajme

Shtrati i Krenes, projekti më madhor 2015

kuvendi-komunes-objektiMe rishikimin e buxhetit për vitin 2015, qeveria e Kosovës ka piketuar 13 projekte që do të realizohen në komunën e Gjakovës gjatë këtij viti, e për realizimin e të cilave do të ndahen rreth 3.5 milion euro. Projekti më kapital dhe më i kushtueshëm që pritet të përmbyllet gjatë vitit 2015 është rregullimi i shtratit të lumit “Krena”, për të cilin qeveria ka ndarë rreth 1.5 milion euro. Pos parashihet të realizohen edhe ndërtimi i kompleksit memorial në varrezat e dëshmorëve në Koshare, përfundimi i punimeve në varrezat e martirëve në Çabrat, përfundimi i rrugëve në fshatin Dobrosh, ndërtimi dhe renovimi i infrastrukturës në Universitetin e Gjakovës, e të tjera.

Pas një viti të vështirë, zyrtarët komunal në Gjakovë po thonë se viti 2015 do të jetë një vit më i relaksuar në aspektin financiar dhe në realizimin e projekteve. Pas një bilanci të realizuar në fillim të këtij viti, është kuptuar se nga shuma e përgjithshme e borxheve, prej rreth 5.6 milion euro, gjatë vitit të kaluar janë paguar gjithsejtë 4 milion euro dhe kanë mbet ende të pa paguara edhe 1.6 milion euro. Por, sipas kryetares së komunës Mimoza Kusari – Lila, komuna do të bëj përpjekje që këtë shumë ta paguaj gjatë 6 muajve të parë të vitit 2015, në mënyrë që pjesën e dytë të vitit por edhe dy vitet pasuese të fokusohet kryesisht në realizimin e projekteve të domosdoshme për banorët e komunës së Gjakovës.