Thursday, March 28, 2024
AktualeLajme

‘Thirrjet e nënave’ qajnë hallin me ambasadorin e Shqipërisë

mingjozi

Shoqata Thirrjet nënave në Gjakovë nuk pushojnë së kërkuari të drejtat e tyre elementare. Të zbardhet fati I familjarëve të tyre që nga lufta e fundit në Kosovë, para 15 viteve. Ambasadori i Shqipërisë Qemal Minxhozi ka qëndruar  të enjten  në Gjakovë, me ç’rast e ka vizituar shoqatën e familjeve të të pagjeturve “Thirrjet e Nënave”.

Nga kryetarja e kësaj shoqate Nysrete Kumnova, ambasadori shqiptar është njoftuar për humbjen që këto familje kanë pësuar gjatë luftës së vitit 1999, ndërsa ka kërkuar nga ai që të angazhohet dhe ta përdorë ndikimin e tij që Serbia ta zbardhë fatin e të pagjeturve.

Duke folur në emër të të gjithë familjarëve, Kumnova ka kërkuar nga ambasadori Minxhozi që ai tu organizojë një takim me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, sepse sipas Kumnovës, edhe Rama mund të ndihmojë shumë në këtë drejtim.

Nga ana tjetër, ambasadori Minxhozi ka premtuar se angazhimi dhe presioni i tij për zbardhjen e fatit të të pagjeturve nuk do të mungojë për asnjë çast, por krahas kësaj ka kërkuar nga nënat gjakovare që të shikojnë përpara dhe ta vazhdojnë jetën me punë dhe përkushtim për një vend më të mirë.

Ai ka thënë se nënat gjakovare, sikurse ato të Krushës dhe të gjitha nënat tjera që kanë humbur më të dashurit e tyre, duhet të jenë shembulli më i mirë sesi një nënë shqiptare lufton dhe nuk dorëzohet asnjëherë përballë vuajtjeve nga më të rëndat.